Projekte

Agroturizmi Rinor
“Nga Toka në Treg”

Përshkrimi kryesor i projektit

Projekti “Agroturizmi Rinor – Nga Toka në Treg” synon të krijojë mundësi konkrete zhvillimi dhe punësimi për të rinjtë e moshës 19–29 vjeç në bashkitë Korçë dhe Ersekë. Nisma adreson sfida të rëndësishme të zonës, si papunësia, mungesa e aftësive praktike dhe vështirësitë që hasin të rinjtë, veçanërisht ata nga zonat rurale, suburbane dhe grupet vulnerabël, për t’u integruar në tregun e punës.

Duke u mbështetur në potencialin e bujqësisë, turizmit rural dhe traditës së mikpritjes së zonës, projekti e sheh agroturizmin si një mundësi reale për zhvillimin ekonomik lokal. Në total, 150 të rinj nga Korça dhe Erseka do të përfshihen në projekt, me përfaqësim të barabartë të vajzave dhe djemve. Vëmendje e veçantë i kushtohet të rinjve NEET dhe atyre që përballen me barriera sociale dhe ekonomike në aksesin ndaj arsimit profesional dhe punësimit.

Përgjatë 9 muajve të zbatimit, projekti do të përdorë metodologjinë “learning by doing”, duke kombinuar njohuritë teorike me eksperiencën praktike. Të rinjtë do të marrin pjesë në trajnime, vizita studimore në bujtina dhe ferma, sesione orientimi për formimin profesional dhe aktivitete që i lidhin drejtpërdrejt me bizneset dhe aktorët lokalë të sektorit. Në këtë mënyrë, pjesëmarrësit jo vetëm fitojnë njohuri, por kuptojnë nga afër funksionimin e agroturizmit dhe mundësitë që ky sektor mund t’u ofrojë.

Një element i rëndësishëm i projektit është krijimi i lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet të rinjve dhe tregut të punës. Përmes praktikave, bashkëpunimit me bizneset lokale dhe një platforme online të dedikuar, projekti synon të promovojë aftësitë e pjesëmarrësve dhe t’i afrojë ata me mundësi konkrete punësimi dhe vetëpunësimi.

Përtej ndikimit individual, “Agroturizmi Rinor – Nga Toka në Treg” synon të kontribuojë në zhvillimin e komuniteteve lokale, duke nxitur sipërmarrjen, barazinë gjinore dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të potencialit turistik e bujqësor të zonës. Duke krijuar më shumë perspektivë për të rinjtë aty ku jetojnë, projekti kontribuon edhe në ndërtimin e një ekonomie lokale më aktive dhe të qëndrueshme.

Partnerë dhe Bashkëpunëtorë

Projekti mbështetet nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.

 

Nga potenciali lokal në mundësi reale për të rinjtë