Projekte

Edukimi dhe ndërgjegjësimi i grave përmes parandalimit

Përshkrimi kryesor i projektit

Ky projekt fokusohet në edukimin, ndërgjegjësimin dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në komunat dhe zonat e thella, duke u ofruar atyre informacion të besueshëm për të drejtat shëndetësore, mundësitë e trajtimit dhe mënyrat e parandalimit të sëmundjeve të rënda, veçanërisht kancerit të gjirit dhe kancerit të qafës së mitrës. Nëpërmjet takimeve direkte në komunitet, shpërndarjes së materialeve informuese, trajnimeve praktike dhe kryerjes së Pap-testit për gratë në risk, projekti synon të ulë nivelin e mosdijes, frikës dhe stigmatizimit që shpesh shoqëron sëmundjet onkologjike te femrat.

Gratë e zonave rurale dhe të thella shpesh përballen me pengesa të shumta: mungesë informacioni, akses të kufizuar në shërbime shëndetësore, vështirësi ekonomike dhe izolim social. Pikërisht për këtë arsye, projekti shkon drejt tyre, në komunitetet ku ato jetojnë, duke krijuar hapësira dialogu, mbështetje psikologjike dhe orientim profesional. Përmes punëtorive dhe trajnimeve praktike, gratë dhe vajzat do të mësojnë teknikat e vetëekzaminimit të gjirit, rëndësinë e depistimit të hershëm, si dhe rolin jetik të Pap-testit në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës.

Një komponent i rëndësishëm i projektit është edhe mbështetja emocionale e grave që tashmë janë prekur nga sëmundja. Ato do të kenë mundësi të ndajnë përvojat e tyre, të dëgjohen dhe të marrin kurajë për të vazhduar trajtimin. Nëpërmjet bashkëbisedimit me koordinatoren e projektit dhe specialistë të fushës, synohet jo vetëm informimi, por edhe ulja e ndjenjës së vetmisë dhe stigmatizimit.

Në përfundim, projekti synon të krijojë një kulturë të re parandalimi dhe kujdesi, ku gratë janë të informuara, të vetëdijshme dhe të afta të marrin vendime për shëndetin e tyre, duke mbrojtur veten, familjen dhe komunitetin.

Parandalimi nis me informacionin e duhur – çdo grua e informuar ka më shumë shanse të ruajë shëndetin dhe jetën e saj.

Bëhu Vullnetar

Bashkohu me rrjetin tonë të vullnetarëve dhe kontribuo në projektet që sjellin ndryshim real në komunitet. Pjesëmarrja jote ka vlerë.